Mungesa e uniformave në Policinë e Kosovës ka shkaktuar një vonesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së re të Policisë.
Kjo çështje ka nxitur kritika nga deputetët e opozitës, të cilët e kanë cilësuar sjelljen e Qeverisë si joserioze ndaj institucioneve të sigurisë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka shprehur shqetësimin e tij për mosfurnizimin me uniforma dhe kapela, duke e quajtur këtë një skandal dhe duke kërkuar përgjegjësi nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme. “Fatkeqësisht, këtu tregohet edhe serioziteti i pushtetit se në çfarë gjendje dinjitetin e policëve të Kosovës e trajtojnë dhe e paraqesin para publikut.
Dhe me keqardhje, por me të vërtetë është skandaloze mosfurnizimi me uniformë dhe kapela, dhe ajo fatkeqësisht, ne duhet të merremi edhe si deputetë me kështu çështje që janë ndoshta sekondare.
Dhe prandaj, sigurisht që duhet kërkuar përgjegjësi edhe nga Policia e Kosovës, por edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, se pse nuk janë furnizuar me uniformë Policia e Kosovës,” ka deklaruar Lushtaku.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




