Çdo ditë në Kosovë, mesatarisht 10 persona diagnostikohen me kancer.
Raporti i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tregon se kanceri po prek gjithnjë e më shumë individë dhe jo vetëm ata në moshë të avancuar. “Kanceri është bërë si grip”.
Kjo frazë e njohur shpesh e dëgjuar, reflekton një realitet të hidhur.
Sipas Raportit të Sëmundjeve Malinje për periudhën janar–dhjetor 2025, në Kosovë janë raportuar 3.775 raste të reja me kancer, që do të thotë rreth 10 diagnoza në ditë dhe një incidencë prej 235.6 rastesh për 100.000 banorë.
Në vitin 2012, numri i rasteve të reja ishte 1.588, që tregon se ky numër është më shumë se dyfishuar brenda 13 vjetëve.
Nëse numërohen edhe pacientët e diagnostikuar më herët, të cilët u trajtuan ose u ndoqën gjatë vitit, sistemi shëndetësor regjistroi 5.564 individë me kancer në vitin 2025.
Një pjesë e rritjes mund të jetë rezultat i raportimit më të mirë, megjithatë raporti pranon se jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rastet, që sugjeron se numri real mund të jetë edhe më i lartë.
Gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve të reja, me 1.927 nga 3.775.
Kanceri i gjirit është më i shpeshti, me 592 raste, që përbën 31% të të gjitha rasteve të kancerit te gratë.
Më shqetësuese është mosha e pacientëve: një e treta e grave me kancer të gjirit (206 nga 592) ishin nën 50 vjeç, dhe raporti dokumenton raste edhe në grup-moshën 25–29 vjeç.
Gati gjysma e grave me kancer (49%) u diagnostikuan para moshës 60 vjeç.
Ndërsa te burrat, kanceri shpesh diagnostikohet më vonë dhe është i lidhur fort me duhanin.
U raportuan 1.848 raste të reja te burrat, ku vetëm 14% e tyre ishin nën 50 vjeç, ndërsa 57% ishin mbi 65 vjeç.
Numri i rasteve dyfishohet në grup-moshën 55–59 vjeç në krahasim me 50–54 vjeç.
Dallimet mes gjinive janë të dukshme: kanceri i mushkërive është 3 herë më i shpeshtë te burrat (243 kundër 72), ai i fshikëzës urinare gati 6 herë (176 kundër 31), ndërsa ai i laringut 52 kundër 4.
Të tre këto janë të lidhura ngushtë me përdorimin e duhanit.
Po ashtu, fëmijët nuk janë të kursyer nga kjo sëmundje.
Në vitin 2025, u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë deri në 19 vjeç, që përkthehet në afërsisht një rast në javë.
Raporti i IKSHPK-së jep vetëm numra, por jo shkaqe.
Megjithatë, shkenca njeh faktorë rreziku për shumicën e këtyre kancerëve.
Disa faktorë, si mosha dhe gjenetika, janë të pandryshueshëm, ndërsa shumë të tjerë varen nga mënyra e jetesës sonë.
Për Kosovën, dy faktorë janë veçanërisht shqetësues: duhani, që shpjegon dallimin e madh mes burrave dhe grave në rastet e kancerit të mushkërive dhe fshikëzës, dhe ndotja e ajrit gjatë dimrit, e cila klasifikohet në të njëjtën kategori shkaktarësh të kancerit me duhanin.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




