Sporti spanjoll dhe ai botëror janë tronditur nga lajmi për vdekjen e Jesus De Miguel, sulmuesit 30-vjeçar të Tenerifes, i cili ndërroi jetë në spital pas një përplasjeje të rëndë me portierin kundërshtar gjatë ndeshjes ndaj Andorrës.
Ngjarja tragjike ndodhi gjatë ndeshjes së javës së 12-të të divizionit të dytë spanjoll.
Në minutat shtesë, portieri mysafir, Jesus Owono, doli nga zona e portës për të ndërhyrë në një top të gjatë, por goditi me gju De Miguel, i cili u rrëzua menjëherë në fushë.
Sulmuesi pësoi arrest kardiak dhe iu desh ndërhyrja e menjëhershme e stafit mjekësor për ta rikthyer në jetë.
Ai u transportua me ambulancë në spital, por gjendja e tij u përkeqësua dhe të martën në mëngjes ndërroi jetë si pasojë e dëmtimeve të rënda neurologjike.
Përveç tronditjes së madhe që shkaktoi kjo ngjarje, në Spanjë kanë filluar diskutimet për përgjegjësinë e mundshme ligjore të portierit Owono.
Sipas vlerësimeve të publikuara, rasti mund të marrë një rrjedhë penale nëse autoritetet konstatojnë se Owono ka vepruar me pakujdesi të rëndë, duke tejkaluar kufijtë e pranueshëm të kontaktit fizik në futboll.
Në një situatë të tillë, ai mund të përballet me akuza për vrasje nga pakujdesia, varësisht nga përfundimet e hetimeve.
Pamjet e ndeshjes dhe rrethanat e përplasjes janë thelbësore për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident sportiv apo për një veprim që mund të sjellë përgjegjësi penale.




