Për të gjashtën ditë me radhë, qytetarët protestojnë në Prishtinë pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt.
Kjo protestë është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, e cila kërkon drejtësi për gratë e vrara dhe siguri për ato që vazhdojnë të përballen me dhunë.
Protestuesit janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku kanë përsëritur thirrjet e tyre kundër dhunës ndaj grave dhe për institucione më të përgjegjshme. “Drejtësi për gratë e vrara, siguri për gratë e gjalla” dhe “Dhunuesit e grave në burg” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë protestës së sotme.
Në duar, protestuesit mbajtën pankarta me mesazhe të fuqishme për institucionet, si “Poshtë sistemi patriarkal”, “Me Arlindën përfundon” dhe “Sytë e saj do t’ju ndjekin, lotët e saj do t’ju djegin!”.
Këto protesta përbëjnë një vazhdim të mobilizimit qytetar që nisi pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Që nga ajo ditë, protestuesit dalin çdo ditë në rrugë, duke kërkuar llogaridhënie për mënyrën se si institucionet trajtojnë rastet e dhunës në familje dhe denoncimet e grave që kërkojnë mbrojtje.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




