Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” do të shtrihen edhe në disa komuna të tjera të Kosovës, ashtu siç ishte paraparë që nga faza e kandidaturës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e bëri të ditur këtë pas takimit të radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM), ku u diskutuan përgatitjet dhe projektet prioritare për organizimin e këtij eventi të madh sportiv.
Sipas Kurtit, në takim është riafirmuar se Lojërat do ta ruajnë shtrirjen e përcaktuar në Librin e Kandidaturës, ku përveç Prishtinës janë përfshirë edhe Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi, Skenderaj dhe komuna të tjera.
Ky koncept ishte pjesë e propozimit të Kosovës që nga aplikimi dhe, sipas kryeministrit, pikërisht me këtë plan vendi fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
Shtrirja e garave nëpër komuna dhe shfrytëzimi i objekteve sportive do të pasqyrohen në rishikimin e draftit të Masterplanit, i cili ende është në shqyrtim.
Në këtë planifikim do të përfshihen edhe investimet që tashmë janë duke u realizuar në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Fokusi i takimit ishte gjithashtu në projektet prioritare, për të cilat u theksua nevoja që puna të vazhdojë me ritëm të shtuar.
Ndër to janë Qendra e Studentëve, e cila pritet të shërbejë si Fshat i Atletëve, Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Qendra Akuatike dhe Qendra Nacionale e Tenisit.
Po ashtu, u ritheksua rëndësia e Stadiumit Nacional si projekt shtetëror për zhvillimin e sportit në Kosovë.
Sa i përket ceremonive të hapjes dhe mbylljes, në takim u shqyrtua edhe mundësia e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me kapacitet të shtuar.
Për këtë çështje do të vlerësohen kërkesat organizative dhe afatet e nevojshme për përgatitjen e stadiumit.
Një tjetër vendim i takimit ishte që Komiteti Organizativ të paraqitet me një qëndrim të përbashkët në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku do të prezantohen hapat e mëtejmë në përgatitjet për edicionin e vitit 2030.
