Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se 11 zyrtarë policorë janë suspenduar pas analizës së raportit mbi veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila humbi jetën më 25 tetor.
Sveçla theksoi se Inspektorati Policor i Kosovës ka verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Policisë, ndërsa raportin ia dorëzoi kryeministrit Albin Kurti një ditë më parë.
Ai shpjegoi se verifikimet e kryera gjatë 72 orëve të fundit kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura më herët, duke nxjerrë në pah dështime në trajtimin e raportimeve dhe në përmbushjen e detyrave institucionale për mbrojtjen e jetës së Zekajt. “Përmes Inspektoratit Policor të Kosovës, ne këto ditë kemi verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës.
Këto 72 orë kanë qartësuar dhe konfirmuar shqetësimet që kemi ngritur, duke nxjerrë në pah dështime në trajtimin e raportimeve dhe në përmbushjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e jetës së saj.
Raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës ia kam dorëzuar dje kryeministrit Kurti”, u shpreh Sveçla.
Ai bëri të ditur se mes zyrtarëve të suspenduar janë drejtori rajonal i Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë me pozita drejtuese dhe hetuese. “Bazuar në gjetjet e evidentuara deri në këtë fazë, dje janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, përfshirë drejtorin rajonal të Policisë në Pejë, shefin e hetimeve rajonale në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, komandantin e stacionit policor në Pejë, zëvendëskomandantin e stacionit policor në Pejë, shefin e sektorit të hetimeve në stacionin policor në Pejë, shefin e sektorit të operativës në stacionin policor në Pejë, komandantin e nënstacionit policor në Vitomiricë dhe katër hetues të stacionit policor në Pejë”, tha ai.
Sipas Sveçlës, gjetjet e raportit, të cilat do të shqyrtohen edhe nga prokuroria, evidentojnë shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë.
Ai theksoi se ndër shkeljet e identifikuara janë moszbatimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesat në ekzekutimin e urdhrit të dytë, mosmarrja parasysh e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për shtimin e kapaciteteve policore për garantimin e sigurisë së Arlindës. “Ndër shkeljet e identifikuara përfshihen: mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, mospërfillja e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve policore në funksion të garantimit të sigurisë së Arlindës.
Këto janë ndër shkeljet më serioze të evidentuara deri në këtë fazë, ndërsa hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte dhe përgjegjësi të tjera”, tha ai.
Ministri theksoi se suspendimi i zyrtarëve nuk duhet të konsiderohet si përfundim i procesit, duke kërkuar një hetim të plotë dhe përcaktim të përgjegjësisë ligjore për të gjithë ata që kanë neglizhuar raportimet dhe paralajmërimet e viktimës. “Dua të bëj të qartë se asnjë suspendim nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm pa një hetim të plotë dhe të mirëfilltë, si dhe pa përcaktimin e përgjegjësisë para ligjit për çdo neglizhencë, për çdo raportim që nuk u mor seriozisht dhe për çdo paralajmërim që Arlinda bëri për rrezikun e jetës së saj, por që nuk mori reagimin e duhur institucional”, përfundoi Sveçla.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
