Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka shqiptuar një gjobë prej 602 eurosh për Barcelonën për një kontakt të paligjshëm me sulmuesin e Atlético Madridit, Julián Álvarez, sipas raportimeve nga mediat spanjolle.
Hetimi i RFEF-së ka zbuluar se më 15 maj është zhvilluar një takim mes drejtorit sportiv të Barcelonës, Deco, dhe agjentit të atëhershëm të sulmuesit argjentinas, Fernando Hidalgos.
Komunikimi i parë me shkrim nga Barcelona drejtuar Atlético Madridit lidhur me këtë çështje është bërë më 28 maj.
Federata e ka cilësuar këtë shkelje si të lehtë dhe, bazuar në nenin 133 të Kodit Disiplinor, ka vendosur një gjobë prej 602 eurosh, që është dukshëm më e ulët se sanksioni që parashikohet nga neni 93.
Megjithatë, Barcelona nuk është pajtuar me këtë vendim dhe ka njoftuar se do ta apelojë, duke besuar se ka vepruar në përputhje me rregullat dhe duke kundërshtuar parimin mbi të cilin është bazuar ndëshkimi.
Interesi i Barcelonës për Julián Álvarezin nuk është i ri.
Klubi katalanas e ka parë sulmuesin argjentinas si një opsion për ta forcuar repartin ofensiv, sidomos si zëvendësim për Robert Lewandowskin dhe Ferran Torresin.
Raportet tregojnë se Barcelona kishte qenë e gatshme të ofronte deri në 100 milionë euro për shërbimet e tij, por drejtori ekzekutiv i Atlético Madridit, Miguel Ángel Gil Marín, ka insistuar se klubi nuk do ta shesë sulmuesin te një rival në La Liga.
Po ashtu, Real Madridi kishte shfaqur interesim për Álvarezin, por Atlético e kishte refuzuar një ofertë prej 150 milionë eurosh.
Vetë Álvarez kishte theksuar se dëshironte të largohej nga Atlético Madrid, duke sugjeruar se një transferim mund të ishte zgjidhja më e mirë për të gjitha palët, çka shkaktoi pakënaqësi te disa tifozë të klubit madrilen.
Më vonë, ai kërkoi falje për deklaratat e tij, pranoi se kishte gabuar dhe shprehu se e kuptonte zemërimin e tifozëve. Álvarez ka zhvilluar 115 ndeshje me fanellën e Atlético Madridit, duke shënuar 51 gola në të gjitha garat.
