Studentët u mblodhën sërish këtë të enjte përpara Ministrisë së Arsimit, ku policia kishte vendosur një gardh metalik përpara godinës, në një tjetër protestë kundër Qeverisë dhe klasës politike.
Të rinjtë filluan thirrjet kundër qeverisë dhe uniformave blu, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. “Poshtë diktatura, poshtë patronazhistët”, “Erdhën studentët!”, “Polici, këtu na ke, ti mbron kriminelët, jo ne”, “Polici e krimit”, janë disa nga thirrjet që dëgjohen gjatë protestës.
Gjatë orëve të paradites, një grup qytetarësh protestuan para ambienteve të Kuvendit, ndërsa policia kishte rrethuar perimetrin me gardh metalik.
Gjatë protestës, fatmirësisht, nuk u shënuan incidente.
Prej 17 ditësh, studentë dhe qytetarë kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje për dialog, por studentët kanë refuzuar uljen në tryezë për të parashtruar kërkesat e tyre.
Protestat janë shoqëruar me përplasje të ashpra ndërmjet policisë dhe protestuesve, ku këta të fundit kryen akte dhune nëpër institucione publike, biznese private dhe shkatërruan sinjalistikën rrugore.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
