Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur dyshime serioze për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të shtetit në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke theksuar se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje.
Ai ka kërkuar një zbardhje të plotë të përgjegjësive, masa parandaluese konkrete dhe llogaridhënie nga autoritetet përkatëse.
Qelaj ka theksuar se, megjithëse ende nuk ka një vlerësim përfundimtar të të gjitha rrethanave të rastit, faktet që po dalin në pah ngrejnë shqetësime të mëdha për mënyrën se si institucionet kanë vepruar për mbrojtjen e viktimës. “Ajo që mund të them në këtë fazë, kur ne ende nuk i kemi hetuar të gjitha detajet, është se duket shumë qartë që përgjegjësia e shtetit në këtë rast nuk është treguar në nivelin e duhur.
Pra, shteti ka dështuar me i mbrojtë viktimat e dhunës në familje,” ka thënë Qelaj.
Ai e thekson se shqetësimi rritet edhe më shumë për faktin se dështimet e institucioneve nuk janë raste të izoluara, por probleme që janë përsëritur ndër vite, përkundër rekomandimeve dhe thirrjeve për veprim. “Më të rëndë këtë situatë e bën fakti që këto dështime dhe këto lëshime janë sistematike, janë të vazhdueshme dhe ndodhin përkundër thirrjeve, rekomandimeve dhe ngritjes së zërit për t’i kërkuar shtetit që ta ketë vëmendjen dhe seriozitetin e duhur në qasje,” tha ai.
Për rastet e vrasjeve të grave dhe dhunën në familje, Qelaj thekson se institucionet publike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të mos reagojnë vetëm pas tragjedive.
Ai nënvizon se “Unë mendoj që nuk është koha të reflektojmë vetëm mbi bazën e pasojave, sepse ato janë tragjike.
Vetëm këtë vit janë tetë raste të grave që janë vrarë.
Besoj fuqishëm se autoritetet publike duhet t’i marrin përgjegjësitë, sepse për këtë janë të ngarkuara dhe për këtë u është dhënë besimi.” Qelaj ka theksuar se detyrimi i shtetit përfshin jo vetëm mosshkeljen e të drejtave të njeriut, por edhe mbrojtjen e tyre në rastet e rrezikut.
Ai ka theksuar se “Është përgjegjësi direkte e shtetit, sepse detyrimet pozitive të shtetit nuk janë vetëm të përmbahet nga cenimi i të drejtave të njeriut, por edhe të marrë masa për të garantuar respektimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave sa herë që ato mund të cenohen.” Institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar raste të ngjashme dhe ka dërguar rekomandime institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë, Prokurorinë, gjykatat dhe Qeverinë.
Qelaj thekson se rekomandimet kanë pasur për qëllim përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së viktimave dhe rritjen e kapaciteteve profesionale për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Ai gjithashtu përmendi obligimet nga Konventa e Stambollit, duke theksuar se institucionet duhet t’i zbatojnë me kujdes standardet ligjore. “Përtej asaj që shkruajnë ligjet ose që përcaktojnë ligjet vendore, Konventa e Stambollit përcakton detyrime të qarta të shtetit në raport me masat që duhet t’i marrë për t’i mbrojtur gratë dhe viktimat e dhunës në familje.
Nuk duhet të harrojmë se gratë nuk janë viktima vetëm të familjarëve, por mund të jenë viktima edhe të vetë institucioneve,” tha ai.
Qelaj ka theksuar se nëse institucionet nuk veprojnë për të parandaluar tragjedi të tjera, vendi rrezikon të përballet me të njëjtin problem. “Nëse nuk e bën këtë, atëherë shteti prapë ka dështuar dhe ne mund të flasim deri në rastin tjetër, që fatkeqësisht mund të përsëritet.
Pastaj prapë kemi për të kërkuar përgjegjësi,” ka theksuar ai.
Avokati i Popullit ka kërkuar që dhuna ndaj grave dhe përgjegjësia institucionale të trajtohen si çështje me rëndësi kombëtare, jashtë politizimit dhe ndërhyrjeve politike, duke theksuar se vendi ka nevojë ta vendosë këtë çështje në nivelin e interesit nacional.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
