Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, ka reaguar përmes një postimi në Instagram, duke shprehur dhimbjen dhe revoltën për ngjarjen e fundit në Kosovë që e prek Arlindën.
Në reagimin e tij, ai ka përdorur fjalë të forta, duke filluar mesazhin me një thirrje prekëse: “Arlinda, u bekoftë shpirti yt, e neve na mbuloftë turpi, siç po na mbulon përditë e ma shumë”.
Lahaj ka theksuar se, pavarësisht ngjarjeve të shumta që e kanë prekur së fundmi, ai kishte vendosur të mos reagonte me gjuhë negative, përçarëse apo urrejtjeje.
Ai e ka zgjedhur artin dhe muzikën si mënyrën për të sjellë më shumë dashuri dhe pozitivitet te njerëzit.
Madje, përmes një programi muzikor, ai ka synuar t’i afronte njerëzit përmes këngëve që i shoqërojnë që nga fëmijëria, me shpresën se muzika mund të ndihmojë në përballimin e ngjarjeve të rënda dhe traumave të së kaluarës.
Sidoqoftë, tenori ka theksuar se këtë herë nuk mund të heshtë, pasi, siç shprehet ai, Arlinda mund të ishte motra e tij apo e secilit prej nesh, përfshirë edhe ata që punojnë në drejtësi dhe polici. “Më dhemb shpirti me e thanë, por siç duket po dështojmë si shoqni,” ka shkruar ai.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com
