Ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka mbyllur hetimet ndaj tij lidhur me dyshimet për dallavere me grante bujqësore.
Ai e ka bërë këtë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe dokumentin përkatës.
Kallëzimi penal kishte ardhur nga zyrtarët e LDK-së, ndaj të cilëve Peci ka paralajmëruar se do të dorëzojë një kallëzim penal për deklarim të rrejshëm. “Prokuroria paska folur qartë, sepse nuk kishte arsye e dëshmi për të folur ndryshe e për të mos mbyllur insinuatat e sulmet e orkestruara kundër punës sime të ndershme.
Zyrtarët e LDK-së që e ngritën këtë kallëzim penal, por edhe të gjithë ata që hodhën gurin e fshehën dorën, do të përballem me kallëzim penal për deklarim të rrejshëm.
Ndërsa ju, qytetarëve të shumtë nga gjithë Kosova e mërgata, fort ju falënderoj që keni besuar në mua, përkundër luftës speciale kundër meje.
Ju siguroj se asgjë nuk mund ta njollosë punën time të ndershme si Ministër, në shërbim tuajin, në shërbim të Kosovës,” ka shkruar ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
