AFA shpreh urimet e saj për përfaqësuesit shqiptarë që arritën të sigurojnë dy ulëse në Kuvendin e Serbisë.
Organizata “Albanians for America” (AFA) e ka cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ky zhvillim, sipas AFA-së, krijon mundësi për fuqizimin e zërit të komunitetit shqiptar në institucionet e Serbisë dhe avancimin e kërkesave për të drejta të barabarta, përfaqësim politik, zhvillim ekonomik dhe eliminimin e praktikave diskriminuese.
Duke komentuar situatën zgjedhore në Serbi, organizata ka vlerësuar se kalimi nga protestat e vazhdueshme në rrugë drejt ndryshimeve përmes zgjedhjeve tregon fuqinë e pjesëmarrjes qytetare dhe veprimit kolektiv.
Megjithatë, AFA ka theksuar se ndryshimi i udhëheqjes politike nuk garanton domosdoshmërisht ndryshimin e drejtimit politik.
AFA gjithashtu ka shprehur se Serbia ka mundësi të distancohet nga politikat nacionaliste dhe antagonizmi rajonal, të cilat ishin të lidhura me periudhën e Sllobodan Millosheviqit dhe që vazhdojnë nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit.
Megjithatë, retorika shqetësuese pas zgjedhjeve ngre pyetje nëse ky tranzicion politik do të sjellë një shkëputje të vërtetë nga e kaluara.
AFA beson se përparimi demokratik duhet të matet jo vetëm përmes rezultateve zgjedhore, por edhe përmes angazhimeve konkrete për të drejtat e pakicave, respektimin e sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, llogaridhënien dhe marrëdhëniet konstruktive me vendet fqinje.
Organizata shpreson që ky moment të shënojë fillimin e një kapitulli të ri, ku Serbia do të përqafojë llogaridhënien demokratike, do t’i trajtojë ankesat e kahershme të komunitetit shqiptar dhe do të bëhet një partner i përgjegjshëm dhe konstruktiv në Ballkanin Perëndimor. “Ndryshimi politik krijon një mundësi.
Respektimi i të drejtave, pajtimi dhe udhëheqja e përgjegjshme do të përcaktojnë nëse kjo mundësi do të sjellë përparim të qëndrueshëm,” thuhet në reagimin e AFA-së.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
