Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqje nga përfaqësuesit institucionalë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke theksuar se shteti ka dështuar ta mbrojë, edhe pse ajo kishte kërkuar ndihmë.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Deliu-Kodra ka kritikuar reagimin e institucioneve ndaj dhunës dhe vrasjeve të grave, duke theksuar se deklaratat dhe fjalimet në Kuvend nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar rastet e përsëritura.
Ajo i bëri thirrje përfaqësuesve të Qeverisë që të marrin përgjegjësi dhe të mos presin një tjetër vrasje për të vepruar. “Përtej deklaratave të një zonjës në krye të një strategjie e cila do të duhej ta luftonte edhe femicidin dhe dhunën e rasteve që i përsëritim e i numërojmë këtu, mendoj se duhet të jemi më të përgjegjshëm.
Nëse një zonjë nuk jeton më, dhe ka kërkuar përgjegjësi prej shtetit, a mjaftojnë një minutë heshtje, këto deklarime prej nesh këtu që duhet ta dënojmë dhunën, a është ky një normalizim që po ndodh në Kosovë.
A dini çka i bie kjo, operacioni u krye me sukses, pacienti vdiq. 95 raste të grave u lexuan nga e para e kuvendit, vdekjet të cilat kanë përcjellë shoqërinë kosovare, nga vrasës të cilit nuk janë dekurajuar nga fjalimet tona.
Nuk janë ndjerë të kërcënuar prej fjalimeve në këtë kuvend, a ka shtet këtu?
A ka Kosova institucione apo ne ende duhet të thirremi në procedura, në ligje?
Ka ligje të cilat nuk po zbatohen, me mijëra herë kemi folur për dështimin e atyre që janë thirrur për ta respektuar në legjislacionin në fuqi”, tha Deliu-Kodra.
Ajo ka kërkuar që përgjegjësia institucionale të mos mbetet vetëm në deklarata, duke theksuar se vrasja e Arlindës ka lënë një fëmijë pa nënë. “Sot ju pyes juve përfaqësues të qeverisë, a do ta bëjmë ne gjumin e qetë deri në vrasjen tjetër, apo do të dalim pas një vrasje tjetër në seanca plenare e pastaj të themi se kemi kryer detyrën tonë, mjaft është.
Mua më vjen marre nga ky fjalim i imi në kuvend.
Dikush duhet të dorëhiqet, të jap përgjegjësi.
Ministre e keni përgjegjësinë.
Një grua e ka lënë fëmijën e saj jetim, shteti ka dështuar ta mbroj”, tha ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
