Nëntë persona, përfshirë shtatë burra dhe dy gra, janë arrestuar nën akuzën për përfshirje në aktivitet kriminal përmes qendrave të thirrjeve në Prishtinë dhe Obiliq.
Në mesin e të arrestuarve është edhe këngëtarja Ariana Plakici, e njohur si ish-banore e edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”.
Sipas njoftimit nga Policia, gjashtë nga të dyshuarit janë shtetas të Kosovës, ndërsa tre të tjerë janë shtetas gjermanë.
Autoritetet dyshojnë se këta individë kanë vepruar në bashkëpunim, duke përdorur qendrat e thirrjeve për të kontaktuar dhe mashtruar shtetas të huaj.
Gjatë hetimeve, në pajisjet kompjuterike të tyre janë zbuluar të dhëna që i përkasin personave të huaj.
Gjatë kontrollit në katër lokacione, policia ka gjetur dhe konfiskuar 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 disqe të jashtme të memories (HDD), një veturë, një armë me gjashtë fishekë, si dhe 850 euro dhe 100 franga zvicerane.
Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit për nëntë të dyshuarit, të cilët po hetohen për mashtrim nëpërmjet qendrave të thirrjeve.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com




