Politik

Vaksinimi Kundër Gripit Sezonal Nisin në Prishtinë: Thirrje për Qytetarët

Vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë (QKMF) si dhe në 15 qendra të tjera të vaksinimit.

Deri rreth orës 12:00 të paradites, rreth 100 qytetarë kishin marrë vaksinën.

QKMF-ja bën thirrje për vaksinim të hershëm, me një fokus të veçantë te të moshuarit, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët, të cilët janë kategori më të rrezikuara nga komplikimet e gripit.


- Advertisement -

Rineta Turku, doktoreshë në Qendrën e Vaksinimit në QKMF, ka bërë të ditur se vaksinimi ka nisur që në orët e para të mëngjesit. “Po, prej orëve të para të mëngjesit kemi filluar vaksinimin kundër gripit sezonal.

Vaksinimi zhvillohet jo vetëm në Qendrën Kryesore, por edhe në 15 qendra të tjera.

Prioritet kanë profesionistët shëndetësorë, të moshuarit, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi 6 muaj deri në 5 vjet,” ka thënë ajo.

Turku po ashtu theksoi se numri i të interesuarve për t’u vaksinuar është i madh. “Po, për shkak se jemi në kohën kur gripi sezonal veç ka filluar, prandaj ju bëjmë thirrje të vaksinohen, pasi që vaksina është shumë e mirë, ju mbron nga infeksionet dhe komplikimet që mund të çojnë deri te spitalizimi.

Deri tani, kemi vaksinuar afërsisht 100 persona, dhe vaksinimi vazhdon. Është një fluks i madh i të interesuarve.

Deri në ora 20:00, këtu në Qendër mund të merret vaksina, ndërkaq për qendrat e tjera, deri në ora 13:30,” ka thënë Turku.

Vaksinat kundër gripit sezonal mbërritën në Kosovë një ditë më parë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, veçanërisht atyre që përkasin në grupe me rrezik të lartë.

Grupet që rekomandohet të vaksinohen me prioritet përfshijnë: • Personat mbi 65 vjeç; • Personat me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, mushkërive, diabetin, sëmundjet e veshkave dhe ato që dobësojnë sistemin imunitar; • Fëmijët me sëmundje kronike dhe ata që kanë indikacion për vaksinim sipas rekomandimeve shëndetësore; • Personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë; • Profesionistët shëndetësorë dhe personat e tjerë që ofrojnë kujdes shëndetësor.

Vaksinimi kundër gripit sezonal rekomandohet edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të vaksinohen.

Vaksinimi është një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen nga gripi sezonal dhe për uljen e rrezikut të komplikimeve, formave të rënda të sëmundjes dhe shtrimit në spital.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -