Politik

Vaksinimi Kundër Gripit Sezonal Fillon në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë njoftuar se vaksinat kundër gripit sezonal kanë mbërritur dhe shpërndarja e tyre ka filluar sot në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Vaksinimi do të nisë pas përfundimit të shpërndarjes së vaksinave në QKMF dhe njësitë përkatëse. “Për informata të detajuara rreth fillimit të vaksinimit, qytetarët mund të kontaktojnë institucionin më të afërt të kujdesit parësor shëndetësor në komunën e tyre”, theksohet në njoftim.

MSH dhe IKSHPK bëjnë thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal, veçanërisht për ata që i përkasin grupeve me rrezik të lartë.


- Advertisement -

Grupet që rekomandohet të vaksinohen me prioritet përfshijnë: • Personat mbi 65 vjeç; • Personat me sëmundje kronike, përfshirë ato të zemrës, mushkërive, diabetin, sëmundjet e veshkave dhe ata që kanë sistem të dobësuar imunitar; • Fëmijët me sëmundje kronike dhe ata që kanë indikacion për vaksinim sipas rekomandimeve shëndetësore; • Personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë; • Profesionistët shëndetësorë dhe të tjerë që ofrojnë kujdes shëndetësor.

Vaksinimi kundër gripit sezonal rekomandohet gjithashtu edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të vaksinohen.

Ky proces është një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen nga gripi sezonal dhe për uljen e rrezikut të komplikimeve, formave të rënda të sëmundjes dhe shtrimit në spital.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -