Sfida të Grave Rurale në Biznes: Panairi ‘EcoKosWomen’ Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas Rurale
Gratë rurale në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme, përfshirë mungesën e pronës dhe integrimin e tyre në biznes.
Këto çështje u theksuan nga drejtues të institucioneve gjatë panairit të organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale, “EcoKosWomen”, në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës.
Shkurije Hasani dhe Drita Kadriu janë dy nga gratë që merren me prodhimin e produkteve bujqësore dhe sot ishin pjesë e këtij panairi.
Ato ndanë përvojat e tyre me Radio Kosovën, duke theksuar se ky profesion sjell përfitime materiale që ndihmojnë në mirëqenien e familjeve, por gjithashtu përballen me shumë sfida. “Sivjet i kemi 80 ari, po kemi produkte të ndryshme. Është fitimprurës, por kërkon shumë punë dhe shpenzime.
Zakonisht merrem me përpunimin e ajvarit në shtëpi dhe prodhimin e xhemit të kumbullës.
Nga institucionet nuk kemi shumë përkrahje, përvec se duhet të blej vetë krejt produktet, duke filluar nga lënda e parë”, tha Shkurija.
Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, theksoi rëndësinë e grave në biznes dhe diskutoi disa nga sfidat me të cilat ato përballen.
Një nga problemet kryesore është pronësia, pasi vetëm 5 për qind e pronave në Kosovë janë në emër të grave.
Ai premtoi mbështetje institucionale për të adresuar këto çështje. “Siç e dimë, prona është një problem thelbësor për këtë komunitet.
Me lejoni të them se skema jonë e granteve do të ofrojë një qasje gjithëpërfshirëse, duke i lejuar këtyre grave të marrin pjesë aktive në shoqëri dhe në aktivitetet e tyre bujqësore”, tha Muja.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

