Agim Ademi: Kosova në Garë për Pozitën e Dytë në Ligën e Kombeve dhe Ndërrimi i Gjeneratës

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, në një intervistë ka folur për paraqitjet e fundit të Kombëtares së Kosovës, procesin e ndërrimit të gjeneratës, si dhe për çështjet që lidhen me futbollistët e rinj dhe organizimin e ndeshjeve.

Ademi e ka shprehur shqetësimin për rezultatet e fundit, duke vlerësuar se ekipi mund të kishte bërë më shumë, por ka besim se do të luftojnë për pozitën e dytë.

Ai theksoi se ndërrimi i gjeneratës po zhvillohet me luhatje të vogla dhe se FFK-ja është në bisedime me disa futbollistë të rinj për t’u bashkuar me përfaqësuesen.


- Advertisement -

Duke folur për ngarkesën e futbollistëve gjatë katër ndeshjeve të zhvilluara brenda një periudhe të shkurtër, Ademi theksoi se ky ritëm përbën një sfidë për lojtarët dhe organizimin e federatës. ‘Tani, puna e katër ndeshjeve të kombëtares ka qenë një intensitet të lartë.

Edhe katër ndeshje të luhen për kaq pak ditë, është pak shumë për futbollistët, edhe për të gjitha kombëtaret, jo vetëm për neve që jemi kombëtare e vogël,’ tha Ademi.

Ai shprehu kënaqësi për atë se si po zhvillohet procesi i ndërrimit të gjeneratës, duke theksuar se sfidat e tilla ndodhin edhe në përfaqësitë më të mëdha.

Ademi njoftoi gjithashtu se FFK-ja është në bisedime me disa futbollistë të rinj dhe se vendimi për përfshirjen e tyre do të merret nga trajneri dhe stafi teknik.

Kur u pyet për largimet nga kombëtarja, Ademi theksoi se këto janë pjesë normale të zhvillimit në futboll dhe vlerësoi kontributin e futbollistëve që kanë ndihmuar në ndërtimin e përfaqësueses. ‘Secilit i dëshiroj sukses atyre që janë larguar dhe nuk janë më pjesë e kombëtares.

Kontributi i tyre gjithmonë ka qenë i pashlyer,’ tha ai.

Në lidhje me raportet me Shqipërinë, Ademi theksoi se nuk ka asnjë problem mes dy federatave dhe se futbollistët shqiptarë duhet ta kenë Kosovën ose Shqipërinë si opsion kryesor.

Ai gjithashtu komentoi çmimet e biletave për ndeshjet e Kombëtares, duke thënë se është e rëndësishme të vlerësojmë veten dhe se nuk është e arsyeshme të ketë reagime të tepruara rreth kësaj çështjeje. ‘Duhet ta kuptojmë një gjë: asnjëherë nuk ka ndodhur që biletat për një kombëtare të jenë më të lira se kaq,’ theksoi Ademi.

Kosova vazhdon garën në Ligën e Kombeve, ndërsa FFK-ja po punon për forcimin e përfaqësueses me futbollistë të rinj dhe për organizimin e ndeshjeve të ardhshme.


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *