Reperi i njohur shqiptar, Stresi, emri i vërtetë i të cilit është Arkimed Lushaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen.
Në një postim në rrjetet sociale, ku ka etiketuar edhe llogarinë zyrtare të kreut të qeverisë, reperi i ka kërkuar Ramës që t’ua lërë qytetarëve vendimmarrjen për të ardhmen e vendit. “Për hir të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj, jepni dorëheqjen dhe lëreni popullin të vendosë për të ardhmen e vendit!”, ka shkruar Stresi.
Në fund të mesazhit të tij, reperi ka shtuar edhe një paralajmërim drejtuar kryeministrit: “Ndryshe do kesh fundin më të keq!”.
Reagimi i artistit vjen në një periudhë kur në Tiranë po zhvillohen protesta të njëpasnjëshme, ku studentë, gjimnazistë dhe qytetarë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Ndër kërkesat e protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit, përmirësimi i kushteve në arsim dhe krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë.
Protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar edhe me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa zhvillimet kanë nxitur reagime të shumta publike.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





