Profesori amerikan, Edward Joseph, ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet t’i adresojë shqetësimet e tij në lidhje me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në një mënyrë private, duke shtuar se Kosova ka të drejtë t’i kritikojë ato.
Joseph ka diskutuar gjithashtu marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në, votimin e ligjit dhe zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka Pula.
Ai e ka cilësuar si të gabuara kritikat publike të BE-së ndaj Kosovës për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se një qasje e tillë pengon dialogun dhe i jep mundësi Serbisë të përfitojë politikisht. “Siç e kam deklaruar edhe më parë, mendoj se këto kritika publike të Bashkimit Evropian janë gabim.
Marta Kos e di shumë mirë se Kosova është e përfshirë në një dialog.
BE-ja vazhdimisht po e shtyn përpara dialogun, e megjithatë, me këto kritika publike ndaj të drejtës së Kosovës për t’i kritikuar Dhomat e Specializuara, po e vështirëson pikërisht këtë mundësi”, ka thënë ai.
Joseph theksoi se BE-ja ka të drejtën të shprehë shqetësime dhe vërejtje për ligjin, por këto çështje duhet të trajtohen në mënyrë private. “Këto çështje duhet të trajtohen në mënyrë private.
Nëse kanë shqetësime, dhe është plotësisht e ligjshme që BE-ja të ketë shqetësime dhe vërejtje lidhur me ligjin, atëherë duhet t’i shprehin ato privatisht.
Duhet ta bëjnë këtë në mënyrë private, sepse Serbia po përfiton nga këto kritika publike”, u shpreh ai.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit të BE-së ndaj festimit të kriminelit të luftës, Ratko Mladić, në Serbi. “Ndërkohë, BE-ja nuk ka bërë asgjë lidhur me festimin dhe nderimin e Ratko Mladić nga Serbia, i cili ishte krimineli më i rëndë i luftës në të gjithë Ballkanin.
Pra, BE-ja duhet ta trajtojë këtë çështje përpara se të kritikojë publikisht Kosovën për këtë ligj”, theksoi Joseph.
I pyetur nëse marrëdhëniet e Kosovës me BE-në mund të rrezikohen nga kjo çështje, ai vlerësoi se situata nuk është aq e rëndë dhe se palët duhet të angazhohen në diskutime për të gjetur një zgjidhje. “Nuk mendoj se situata është aq e rëndë.
Mendoj se Kosova dhe Bashkimi Evropian duhet ta diskutojnë këtë çështje dhe besoj se mund të arrihet një rezultat pozitiv”, tha ai.
Joseph po ashtu theksoi se ekzistojnë mekanizma dhe formate përmes të cilave Kosova dhe BE-ja mund t’i trajtojnë mospajtimet, por Brukseli duhet të kuptojë se Dhomat e Specializuara nuk janë mbi kritikat. “Mendoj se kjo çështje mund të çohet përpara, pasi ekzistojnë kanale dhe formate përmes të cilave mund të trajtohen këto pyetje.
Megjithatë, ekziston një pikë thelbësore që BE-ja duhet ta kuptojë: Dhomat e Specializuara nuk janë mbi kritikat”, theksoi ai.
Ai shtoi se Kosova ka të drejtë t’i kritikojë Dhomat e Specializuara dhe që edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka pranuar këtë të drejtë. “Kosova ka të drejtë t’i kritikojë ato.
Madje, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se Kosova, si shtet sovran, ka të drejtë ta ndryshojë ligjin”, u shpreh ai.
Joseph nënvizoi se është legjitime që institucionet e Dhomave të Specializuara të mbahen përgjegjëse dhe që puna e tyre të jetë objekt i pyetjeve dhe kritikave. “Pikërisht ky është thelbi që duhet të kuptohet në Bruksel: është legjitime që Dhomat e Specializuara të mbahen përgjegjëse”, tha ai.
Duke komentuar votimin për ligjin, Joseph tha se ai u mbështet nga një shumicë e theksuar, ndonëse LDK-ja nuk votoi pro tij. “Votimi ishte me një shumicë shumë të theksuar në favor të ligjit.
LDK-ja nuk votoi pro tij, por, megjithatë, ekziston një konsensus i gjerë kombëtar”, tha ai.
Joseph e vlerësoi punën e grupit punues si një zhvillim të mirë, duke thënë se ai mund të kontribuojë në një proces konstruktiv, ndërsa përgjegjësia për trajtimin e çështjes i takon Qeverisë së Kosovës. “Mendoj se grupi punues është një zhvillim i mirë dhe mund të jetë konstruktiv.
Tani i takon Qeverisë së Kosovës që të punojë në mënyrë profesionale”, theksoi ai.
Ai përsëriti se Qeveria e Kosovës duhet të hapë diskutimet me partnerët ndërkombëtarë. “Dhe, po e përsëris, mendoj se çelësi është që Qeveria e Kosovës ta hapë dialogun”, tha ai.
Në fund të intervistës, Joseph foli për zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, duke e cilësuar këtë një hap pozitiv. “Duhet të them se jam shumë i kënaqur.
Zgjedhja e presidentes Shiroka Pula është një hap shumë pozitiv për Kosovën”, tha ai.
Ai gjithashtu nënvizoi se ka një përshtypje shumë të mirë për presidenten e re dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe liderëve politikë ta mbështesin atë. “Kam një përshtypje shumë të mirë për presidenten Shiroka Pula dhe mendoj se qytetarët dhe udhëheqësit politikë të Kosovës duhet ta mbështesin atë”, përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





