Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar mënyra për të përshpejtuar procesin e zgjerimit, duke përfshirë përdorimin më të shpeshtë të votimit me shumicë të kualifikuar në disa faza të negociatave të anëtarësimit.
Në këtë kontekst, Kosovës i është bërë thirrje që t’i marrë seriozisht reformat socio-ekonomike dhe të angazhohet në Planin e Rritjes.
Këto mesazhe i përcolli Marko Makovec, këshilltar kryesor për Pajtimin dhe Normalizimin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, gjatë fjalimit të tij në Samitin e Paqes dhe Demokracisë në Kosovë, që këtë vit kishte temën “Epoka e Entropisë”.
Makovec theksoi rëndësinë e zgjerimit si pjesë e përgjigjes ndaj zhvillimeve politike dhe shpjegoi se BE-ja po hyn në një periudhë ku kërkohet veprim më i shpejtë dhe më vendimtar.
Ai theksoi se procesi i zgjerimit mbetet i lidhur ngushtë me respektimin e vlerave evropiane, sundimin e ligjit dhe rezultatet konkrete të vendeve kandidate. “Kjo është një mundësi për t’ju drejtuar juve, për të diskutuar në këtë moment mjaft të rëndësishëm rreth diçkaje që besoj se është një çështje vendimtare jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Bashkimin Evropian.
Dhe do të donja ta nisja ndërhyrjen time duke thënë se Bashkimi Evropian është në lëvizje.
Kjo nuk është thjesht një fjalë apo një frazë, por është një proces që po e përcaktojmë pikërisht tani dhe që do ta udhëheqim në javët dhe muajt në vijim,” deklaroi Makovec.
Ai vlerësoi se ky proces zhvillohet në një mjedis të ndërlikuar ndërkombëtar, ku besimi po sfidohet dhe forcat politike po rikthehen te modelet e vjetra dhe mitet nacionaliste.
Gjithashtu, Makovec theksoi se brezi i ri, i quajtur Brezi Z, është më i ekspozuar ndaj trendeve globale përmes rrjeteve sociale dhe burimeve të ndryshme të informacionit, gjë që ndikon në zhvillimet politike. “Kjo lëvizje po ndodh në një mjedis gjeopolitik mjaft kompleks, ku ka entropi, ku besimi po vihet në dyshim dhe po sfidohet në të gjithë botën — diçka që të gjithë mund ta përjetojmë në jetën tonë të përditshme,” tha ai.
Duke folur për ndikimin e brezit të ri, Makovec theksoi se të rinjtë i ndiejnë trendet globale më drejtpërdrejt se gjeneratat e mëparshme.
Ai shtoi se ky fenomen duhet të merret parasysh nga udhëheqësit evropianë gjatë procesit të vendimmarrjes. “Ky është brezi që është bërë vërtet global dhe i ndien trendet globale shumë më tepër se unë apo brezat e mëparshëm që tani janë në pozita qeverisëse,” tha ai.
Makovec gjithashtu theksoi rëndësinë e zgjerimit si një nga çështjet kryesore të politikave të BE-së, duke iu referuar komunikatës së Komisionit Evropian të 6 tetorit, e cila përmban propozime të rëndësishme për kapacitetet e BE-së për zgjerim.
Ai tha se zgjerimi nuk nënkupton vetëm rritjen e numrit të vendeve anëtare, por edhe ruajtjen e parimeve themelore mbi të cilat funksionon Bashkimi Evropian. “Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e të drejtave fundamentale, të vlerave tona evropiane dhe të sundimit të ligjit.
Ky është Neni 2 i Traktatit, dhe ai duhet të jetë gjithashtu ngjitës për të gjitha vendet e tjera kandidate që ndjekin rrugën evropiane,” përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




