Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), nën Zyrën e Kryeministrit, ka kaluar një proces vlerësimi (Peer Review) nga Bashkimi Evropian më 13 dhe 14 tetor, në fushën e hetimit të aksidenteve ajrore.
Ky vlerësim është realizuar përmes një paneli të Rrjetit Evropian të Autoriteteve për Hetimin e Sigurisë në Aviacionin Civil (ENCASIA).
Paneli i ENCASIA-s që qëndroi në Kosovë ishte i udhëhequr nga Italia, ndërsa anëtarët e tjerë të delegacionit erdhën nga Franca, Holanda, Luksemburgu dhe Islanda.
Republika e Kosovës është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që është pjesë e ENCASIA-s.
ENCASIA përbëhet nga autoritetet për hetimin e aksidenteve ajrore të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe katër shteteve me status vëzhgues, përfshirë Norvegjinë, Islandën, Zvicrën dhe Kosovën.
Ky proces vlerësimi për sigurinë e aviacionit zhvillohet për të gjitha shtetet anëtare, duke u përputhur me standardet dhe metodologjinë e Bashkimit Evropian.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





