Akuzat e Lazar Radulloviqit: Lista Serbe përpiqet të pengojë kandidaturën time

Deputeti i partisë serbe “Sloboda, Pravda, Opstanak”, Lazar Radulloviq, ka bërë akuza të forta ndaj Listës Serbe, duke thënë se ata po përpiqen ta pengojnë kandidaturën e tij për deputet dhe se po ushtrojnë presion mbi të.

Radulloviq ka deklaruar se është përballur edhe me sulme fizike dhe dëmtim të automjetit të tij.

Gjatë një deklarate jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ai ka theksuar se Lista Serbe ka bërë ankesa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe në Gjykatën Supreme, me qëllim të bllokimit të kandidaturës së tij.


- Advertisement -

Sipas Radulloviqit, përpjekjet për ta penguar atë lidhen me pamundësinë që Lista Serbe ta kontrollojë ose ta bindë të kalojë në radhët e saj.

Ai ka sjellë në vëmendje një rast nga një mandat i kaluar, kur deputeti Svetko Veljkoviq ishte larguar nga grupi politik i Nenad Rashiqit dhe kishte kaluar në kampin e Listës Serbe. “Ajo që është problem për ta është se me mua nuk mund të bëjnë pazare, nuk mund të më blejnë dhe nuk mund të më frikësojnë.

Vendi ku unë ulem është i betonuar.

Nuk ekziston mënyrë që ata ta blejnë apo ta marrin atë”, ka thënë Radulloviq.

Ai ka përmendur se kohët e fundit ka hasur në probleme, përfshirë sulme fizike dhe shpimin e gomave të automjetit, të cilat i ka lidhur me veprimet e kësaj organizate. “E vetmja mënyrë që të më largoni nga ky vend është të qëlloni me armë dhe të mos jem më.

Në asnjë mënyrë tjetër nuk do të mund ta zini këtë vend”, ka thënë ai, duke iu drejtuar deputetëve të Listës Serbe.

Radulloviq gjithashtu e përmendi politikanin e ndjerë serb Oliver Ivanoviq, duke iu referuar një interviste të tij të fundit, ku, sipas Radulloviqit, ai kishte folur për rrezikun e një sulmi ndaj tij. “Dhe ajo që i ndjeri Oliver Ivanoviq kishte thënë në intervistën e tij të fundit: ‘I kanë bërë të gjitha, vetëm ende nuk kanë qëlluar mbi mua, por nuk besoj se do ta bëjnë këtë’.

Unë po ju them se edhe unë mendoj se i keni bërë të gjitha, por në fund besoj se mund të ndodhë edhe kjo, të qëlloni mbi mua.

Nuk e kam fjalën për ju, sepse ju jeni thjesht ‘piunë të rëndomtë’ që rrini këtu dhe dëgjoni atë që ju vjen me mesazhe nga Beogradi dhe nga shefat tuaj në Kopaonik, por ajo organizata juaj kriminale është e gatshme për gjithçka”, ka thënë Radulloviq.

Ai ka theksuar se Lista Serbe operon nën ndikimin e Beogradit dhe duke e quajtur atë organizatë kriminale, ka thënë se ajo është e gatshme për gjithçka.

Pavarësisht pretendimeve për presion dhe kërcënime, Radulloviq ka theksuar se nuk do të frikësohet dhe u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Listës Serbe të ndalin përpjekjet për ta penguar atë me veprime që, sipas tij, nuk do t’i arrijnë qëllimet.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *