Sean Diddy Combs është raportuar se është ndëshkuar disa herë në burg për përleshje dhe përdorim të paautorizuar të telefonit, duke humbur disa privilegje, sipas një raporti nga TMZ.
Jose Rojas, sekretari i sindikatës që përfaqëson punonjësit e Byrosë Federale të Burgjeve në SHBA, ka konfirmuar se ka siguruar dosjen disiplinore të reperit.
Sipas kësaj dosjeje, Diddy është raportuar për përleshje më 31 korrik dhe 30 shtator, ndërsa një shkelje më e rëndë është regjistruar më 1 tetor.
Ai gjithashtu është ndëshkuar për dy shkelje më të lehta që kanë të bëjnë me përdorimin e telefonit, më 7 korrik dhe 19 shtator 2025.
Si pasojë e këtyre shkeljeve, reperi ka humbur 41 ditë nga ulja e mundshme e dënimit për sjellje të mirë, e cila mundëson lirimin më të hershëm të të burgosurve.
Po ashtu, Diddy i është ndaluar për 400 ditë hyrja në dyqanin e burgut, ku të burgosurit mund të blejnë ushqime dhe produkte të tjera.
Problemet disiplinore mund të çojnë në klasifikimin e tij si i burgosur që prish rendin, gjë që mund të rezultojë në transferimin e tij në një institucion tjetër.
Megjithatë, Rojas thekson se një vendim i tillë nuk është marrë ende.
Më herët, TMZ kishte raportuar se data e lirimit të Diddyt është shtyrë nga 21 janari në 2 mars 2028.
Ndërkohë, në fund të shtatorit, NBC News raportoi se reperi dyshohej se kishte gëzuar trajtim të privilegjuar në burg, duke përfshirë përdorimin e një telefoni celular të paautorizuar, alkool, masazhe dhe ushqim më të mirë.
Pas këtyre raportimeve, ai është kthyer në izolim, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Diddy po vuan një dënim prej 50 muajsh në burgun federal FCI Fort Dix, në New Jersey.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





