Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se nuk do ta pranojnë ftesën për të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, lidhur me konstatimet dhe rekomandimet për këto institucione.
Në një deklaratë, Dhomat e Specializuara theksojnë se neni 162, paragrafi 11, i Kushtetutës së Kosovës ia jep Zyrës së Avokatit të Popullit përgjegjësinë ekskluzive mbi këto institucione.
Sipas tyre, pranuar ftesa e Qelajt do të ishte e papërshtatshme, pasi kompetenca për monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave që ndërveprojnë me këto institucione i takon Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Pietro Spera. “Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, z.
Pietro Spera, ka autoritetin ekskluziv për të monitoruar, mbrojtur dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,” thuhet në deklaratë.
Specialja gjithashtu i referohet nenit 34, paragrafi 9, të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke theksuar se mungesa e kompetencës së Avokatit të Popullit të Kosovës në raport me këto institucione është komunikuar më parë Qelajt.
Në deklaratë përmendet edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili mbikëqyr dhe inspekton objektin e paraburgimit për të garantuar respektimin e standardeve ndërkombëtare.
Dhomat e Specializuara kanë theksuar se vendimet e gjyqtarëve të tyre nxirren në përputhje me standardet më të larta të së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut.
Palët që nuk janë pajtuar me vendimet gjyqësore kanë pasur mundësinë të kundërshtojnë ato përmes mjeteve juridike, si ankesat para Panelit të Apelit, Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.
Në përfundim, institucioni ka bërë të ditur se vazhdon të përqendrohet në mandatin e tij për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, si dhe për zhvillimin e proceseve penale të pavarura dhe të drejta.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





