Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me linçimin publik, kërcënimet dhe presionin ndaj gazetarëve Fidan Jupolli dhe Lirim Mehmetaj, duke kërkuar një reagim të menjëhershëm nga institucionet e Kosovës.
Sipas IKD-së, këto zhvillime cenojnë sigurinë e gazetarëve, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
Në një reagim të publikuar të martën, IKD-ja theksoi se institucionet kanë përgjegjësi të sigurojnë që gazetarët ta ushtrojnë profesionin e tyre pa frikë dhe pa ndonjë presion për t’u tërhequr nga qëndrimet e tyre.
Rreth rastit të Fidan Jupollit, IKD-ja vlerësoi se shqetësimet e ngritura nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për integritetin fizik të gazetarit dhe familjes së tij kërkojnë një trajtim urgjent dhe serioz institucional.
Instituti paralajmëroi se etiketimi i gazetarëve si të lidhur me interesa armiqësore për shkak të qëndrimeve të tyre publike mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të familjarëve.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




