Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka bërë të ditur se partia e saj është rikthyer në tryezën e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke vendosur në prioritet një kauzë më të madhe se interesat partiake.
Mbrëmë, Musliu theksoi se PDK-ja nuk ka pasur kërkesa për poste politike ose pjesëmarrje në qeveri, por vetëm një kërkesë që e ka cilësuar si thelbësore: procedimin e ligjit për Specialen. “Partia Demokratike e Kosovës ka dalë mbi interesat partiake, për shkak të një kauze shumë më të madhe se PDK-ja dhe secila parti tjetër në Kosovë, dhe jemi kthyer në tryezën e bisedimeve,” tha Musliu.
Ajo shtoi se partia nuk ka kërkuar që dikush të bëhet president dhe as të marrë pjesë në qeveri, duke theksuar se kërkesa e vetme ka qenë procedimi i ligjit.
Musliu gjithashtu ka folur për presidenten Justina Shiroka-Pula, të cilës ia ka uruar mandatin dhe ka shprehur besim të plotë në vendimmarrjen e saj.
Deputetja e PDK-së e njeh Shiroka-Pulën prej 17 vitesh, që nga koha kur ajo ishte ministre, ndërsa Musliu ishte kandidate për asamble komunale.
Ajo e ka cilësuar atë si intelektuale dhe vendimmarrëse, duke shprehur besimin se presidentja e ka marrë mandatin me vetëdije të plotë dhe se nuk do të lejojë që interesat apo kalkulimet politike të ndikojnë në integritetin e saj. “Duke e njohur si një intelektuale, vendimmarrëse, unë e kam besim të plotë në vendimet e Justina Shiroka-Pulës, dhe jam shumë e vetëdijshme për rolin e këshilltarëve, por besoj fort që Justina Pula e ka marrë me vetëdije të plotë këtë mandat, dhe jam shumë e bindur që për asnjë çmim e kalkulim, Justina Shiroka-Pula nuk ka me ia marrë fytyrën as vetes, as familjes, as shtetit,” përfundoi Musliu.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





