Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili është përgjegjës për organizimin e grupit terrorist që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023, ku humbi jetën rreshteri policor, heroi Afrim Bunjaku, është shfaqur në një tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc.
Ekipi i N1 e ka filmuar atë para sallës “Jezero”, pranë Danillo Vuçiqit, djalit të Alleksandar Vuçiqit.
Në pamjet e publikuara nga N1, Radoiçiq shfaqet në shoqërinë e Danillo Vuçiqit para sallës ku u mbajt tubimi i SNS-së.
Sipas raportimeve, Danillo Vuçiqi kishte ardhur në tubim i shoqëruar nga disa automjete me drita sinjalizuese të ndezura.
Radoiçiq është në kërkim nga Interpoli për shkak të sulmit terrorist në Banjskë, i ndodhur më 24 shtator 2023.
Interpoli ka lëshuar urdhër-arrest për të dhe 11 persona të tjerë në dhjetor të po atij viti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





