Legjenda e Hollywood-it, Kim Novak, ka shprehur një dëshirë të veçantë për pas vdekjes: ajo dëshiron që trupi i saj të kompostohet, që të mund të mbillen pemë prej tij.
Novak ka pasur një karrierë të shkëlqyer si yll i kinemasë, sidomos për rolin e saj përkrah Jimmy Stewart në filmin klasik të Alfred Hitchcock-ut, “Vertigo” të vitit 1958.
Një tjetër rol i njohur ishte ai i një vajze nga një qytezë e vogël, e dashuruar pas personazhit të luajtur nga William Holden në filmin “Picnic”, i bazuar në veprën e dramaturgut William Inge.
Megjithatë, në vitet ’60, ajo u tërhoq nga bota e spektaklit dhe iu përkushtua pikturës, dashurisë për kafshët dhe pasioneve të tjera personale.
Tani, në moshën 93 vjeçare dhe duke jetuar në një fermë në Oregon, Novak ka shprehur dëshirën që miqtë e saj ta respektojnë atë, dhe pas vdekjes, të përdorin mbetjet e saj për të mbjellë pemë. “E mendoj tani kështu: kur të iki, është në rregull, sepse do të bëhem pjesë e asaj peme të bukur dhe do të vazhdoj të rritem”, ka thënë ajo për organizatën PETA.
Gjatë viteve, Novak ka pasur pranë një shumëllojshmëri kafshësh.
Përveç kafshëve më të zakonshme si qentë, zogjtë dhe kuajt, ajo ka pasur edhe një gjarpër të quajtur Sincerely, si dhe një dhi. “Kur u largova nga Hollywood-i, u zhvendosa në një mjedis ku mund të kisha kafshë pranë vetes dhe të mësoja se kush isha në të vërtetë”, kujtoi aktorja me origjinë nga Çikago.
Ajo argumentoi se aktorët kanë prirjen ta “humbasin” veten brenda personazheve që interpretojnë.
Sipas saj, jeta larg kamerave e ndihmoi të zbulonte më mirë vlerat dhe bindjet e saj, duke mësuar nga kafshët, të cilat nuk e gjykojnë njeriun bazuar në sa para fiton apo ku jeton.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





