Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka shprehur kritika të ashpra ndaj Bashkimit Evropian për mënyrën se si po e trajton Kosovën, duke theksuar se po i shfrytëzon problemet e brendshme të vendit.
Hasani ka theksuar se mospranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është bërë qëllimisht, para shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale. “Hiq pa e ditë vendimin final të Gjykatës Speciale [për krerët e UÇK-së], është ditë që mospranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është bërë qëllimshëm,” ka thënë Hasani.
Ai ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me kërkesa të reja nga Bashkimi Evropian, edhe nëse i zbaton marrëveshjet e arritura, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit. “Ti do ta implementosh Marrëveshjen e Ohrit pikë për pikë qysh e ke pranu, se s’ke nga ikë dhe nuk do të thotë kush faleminderit.
Dhe rreziku është që prapë nuk pranohesh as pas kësaj, se mandej ndërrohen kriteret,” ka deklaruar ai.
Sipas Hasanit, Bashkimi Evropian po i vendos si kushte çështjet e brendshme të Kosovës, ndonëse, sipas tij, zgjidhja e tyre nuk është e mundur në rrethanat aktuale. “Bashkësia Evropiane po luan me kartën e problemeve të brendshme të Kosovës.
Shumë lehtë është kur prishen dy vllazni, i treti prej fshati tjetër me ardhë me i nxitë ata më shumë.
Pra po i aktivizon dinamikat e brendshme si Marrëveshjen e Ohrit dhe plot probleme tjera të cilat po i vë si kushte duke e ditë që ato nuk bëhen tash,” ka theksuar Hasani.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





