
Konferenca Ndërkombëtare mbi Transformimin Digjital dhe Tranzicionin e Gjelbër në Kosovë
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, organizoi konferencën ndërkombëtare “Twin Transformation: Reconceptualizing Organizations and Ecosystems”.
Gjatë kësaj ngjarjeje u diskutua për transformimin digjital, tranzicionin e gjelbër, inovacionin dhe zhvillimin e ekosistemeve sipërmarrëse.
Në hapje të konferencës, nënkryetari i ASHAK-ut, Fejzullah Krasniqi, shprehu vlerësimin e tij për kontributin e Presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila deri para pak ditësh ka drejtuar Akademinë.
Ai tha: “Përshëndetja e kësaj konference ishte paraparë të bëhej nga kryetarja e deritanishme, akademike Justina Shiroka-Pula, e cila para 2 ditësh është propozuar dhe për fat është zgjedhur presidente e Kosovës.
Ky është një nderim i veçantë jo vetëm për Akademiken Justina Shiroka-Pula, por edhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku ajo, në pozitën e kryetares, është angazhuar me shumë përkushtim.” Krasniqi vuri në dukje se tema e konferencës është jashtëzakonisht aktuale dhe me rëndësi për kërkimin shkencor, studimin ekonomik dhe transformimin e organizatave bashkëkohore. “Tema e kësaj konference është veçanërisht aktuale dhe me rëndësi të shumëfishtë.
Për kërkimin shkencor, studimin ekonomik dhe transformimin e organizatave bashkëkohore.
Transformimi digjital dhe tranzicioni i gjelbër po zhvillohen gjithnjë e më shumë si procese të ndërlidhura, të cilat ndikojnë në mënyrën se si organizatat, institucionet dhe ekosistemet ekonomike e sipërmarrëse konceptohen, organizohen dhe zhvillohen,” tha ai.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike, kërkimore dhe sektorit privat. “Në këtë kuadër, kërkimi shkencor dhe inovacioni marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.
Zhvillimet në inteligjencën artificiale dhe transformimin digjital në sipërmarrje dhe ekonomi, në tranzicionin e gjelbër, si dhe në zhvillimin e ekosistemeve sipërmarrëse kërkojnë qasje të reja shkencore, bashkëpunim ndërdisiplinar dhe ndërinstitucional, si dhe lidhje më të fuqishme ndërmjet universiteteve, institucioneve kërkimore, sektorit të biznesit dhe aktorëve të tjerë të zhvillimit.
Programi i konferencës është konceptuar në atë mënyrë që pasqyron qartë këtë gjerësi tematike dhe ndërdisiplinare.
Përmes prezantimeve dhe diskutimeve profesionale, konferenca do të krijojë një hapësirë të rëndësishme për paraqitjen e rezultateve shkencore, për shkëmbimin e ideve dhe për diskutimin kritik të sfidave të shoqërisë,” përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info