Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar ndaj ofertës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe miratimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara.
Hamza theksoi se qëndrimi i PDK-së për këtë çështje ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent, duke shprehur se miratimi i ligjit në dy lexime nuk duhet të lidhet me asnjë pozitë politike apo institucionale. “Me qëllim të sqarimit dhe korrektësisë maksimale, do t’i elaboroj disa gjëra.
Qëndrimi i PDK-së ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent.
Aprovimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy lexime nuk është çështje e ndërlidhur me asnjë pozitë politike apo institucionale”, ka thënë Hamza.
Ai ka shtuar se çështja e zgjedhjes së presidentit është një problem i veçantë institucional, i cili, sipas tij, po e mban Kosovën për një periudhë të gjatë në një situatë politike të pasigurt. “Ka koinciduar çështja e presidentit, e cila e përcjell Kosovën në një periudhë të gjatë kohore.
Ju e dini që Kuvendi i Kosovës është dashur që të jetë i konstituar më datën 7 gusht”, ka deklaruar Hamza.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





