Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, theksoi se partia dhe kryetari i saj, Bedri Hamza, në të gjitha takimet e kanë bërë të qartë për kryeministrin Albin Kurti se, fillimisht duhet të votohet në lexim të dytë ligji për Gjykatën Speciale, e pastaj të flitet për presidentin.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, lidhur me ofertën e Kurtit për PDK-në që të sigurojë votën e së paku gjysmës së deputetëve të saj për zgjedhjen e Bekim Sejdiut si president, ai theksoi se “nuk mund të flitet me atë gjuhë që të ndahet gjysma e deputetëve.” “Nuk janë ato pazare, nuk kemi dalë ne kështu të marrim dhe të japim një pjesë të deputetëve tanë”, shprehu ai.
I pyetur nëse kjo përbën refuzim të ofertës nga PDK-ja, Reçica tha se nuk mund të flasë në emër të partisë, por përsëriti se “nuk mund të ndahet dhe s’ndahet grupi parlamentar i PDK-së, pavarësisht që secili deputet e ka të drejtën e lirë për të vendosur se çka voton.” Ai shtoi se e sheh të panevojshme që PDK-ja t’i përgjigjet Kurtit për ofertën, pasi që, sipas tij, qëndrimi i tyre është i qartë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





