Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas protestës së djeshme në Prishtinë, duke dënuar dhunën që u ushtua nga Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve.
Në reagimin e publikuar në Facebook, OVL-UÇK ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. “Kurti e Sveçla dje e goditën UÇK-në me uniformën e shtetit”, thuhet në titullin e reagimit.
Sipas OVL-UÇK-së, ajo që ndodhi gjatë protestës paraqet “një njollë të rëndë” për institucionet e Kosovës. “Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla, dy dezertorë të luftës, e vunë Policinë përballë veteranëve tanë, të cilët luftuan, u plagosën dhe dhanë gjymtyrët e tyre për ta bërë të mundur këtë shtet”, theksohet në reagim.
Organizata ka kërkuar përgjegjësi për ata që, sipas saj, kanë urdhëruar dhe zbatuar veprimet policore, si dhe një hetim për çdo rast të mundshëm të tejkalimit të kompetencave. “OVL UÇK kërkon përgjegjësi të plotë për urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj dhune, si dhe hetim të menjëhershëm për çdo tejkalim të kompetencave”, theksohet më tej.
Në përfundim, OVL-UÇK ka kërkuar lirimin e Ekrem Selimit dhe Fadil Zogajt, për të cilët thotë se po mbahen në paraburgim nga organet policore.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





