Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar një hetim preliminar për të shqyrtuar veprimet e zyrtarëve policorë dhe përdorimin e forcës gjatë protestës së mbrëmshme pranë objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
IPK-ja ka njoftuar se, brenda mandatit të saj ligjor dhe sipas detyrës, ka monitoruar nga afër angazhimin dhe reagimin e Policisë gjatë menaxhimit të protestës. “IPK-ja ka aktivizuar planin operativ dhe ka angazhuar zyrtarët e saj, të cilët kanë ndjekur nga afër mënyrën e menaxhimit të protestës, ndërveprimin e zyrtarëve policorë me protestuesit, përdorimin e forcës, si dhe përdorimin e pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara,” thuhet në njoftim.
Ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar një ankesë, të dërguar përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon se ka pasur tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.
Hetimi preliminar është iniciuar në bazë të të dhënave të siguruara gjatë monitorimit, pamjeve të publikuara në media dhe burimeve të tjera relevante. “IPK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme brenda mandatit të saj ligjor për të sqaruar rrethanat dhe në përputhje me gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren,” është theksuar në njoftim.
IPK-ja ka theksuar se do ta ushtrojë mandatin në një mënyrë profesionale, të paanshme dhe të pavarur, me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë së veprimeve policore dhe respektimit të të drejtave të qytetarëve.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





