Rëndësia e Diagnostikimit të Hershëm të Kancerit të Gjirit në Tetorin Rozë

Tetori Rozë vë në pah rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, por për pacientet, beteja vazhdon edhe pas diagnozës.

Në Kosovë, mungesa e barnave dhe sfidat në zinxhirin e furnizimit mbeten pengesa për trajtimin e vazhdueshëm.

Mesazhi i Tetorit Rozë është i qartë: kontrollet nuk duhet të shtyhen.


- Advertisement -

Për gratë që diagnostikohen me kancer të gjirit, beteja nuk përfundon me zbulimin e hershëm.

Pas diagnozës, ato kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm dhe, mbi të gjitha, për barna në kohën e duhur. “Unë dua që ta shfrytëzoj rastin edhe sot që të theksoj që shëndeti i vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës është shumë i rëndësishëm.

Prandaj i bëj thirrje edhe sot çdo gruaje që kontrollin mos ta shtyjë për nesër”, tha Albulena Haxhiu, u.d.

Presidente e Kosovës. “Në vitin 2025, sepse akoma nuk i kemi statistikat e 2026-ës deri në fund të këtij viti, në stadin e parë dhe të dytë janë diagnostikuar 53.4% e grave me kancer të gjirit në fazën e parë ose të dytë”, tha Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë.

Por diagnostikimi me kohë është vetëm njëra pjesë e përballjes me sëmundjen.

Për pacientët që hyjnë në trajtim, sfida tjetër është nëse terapitë janë të disponueshme në momentin e duhur.

Vetë ministri Vitia pranoi se vazhdon të ketë mungesa të disa barnave të rëndësishme.

Sipas tij, për disa prej tyre procedurat kanë dështuar për shkak të çmimeve të larta ose mungesës së interesimit nga operatorët ekonomikë. “Tash janë disa mungesa të cilat janë akoma.

Kemi pasur problem Avastinën.

Ju sot e dini, tash ka hyrë në fuqi ligji për tavanin e barnave dhe në dy procedura ka dështuar për shkak të çmimit të lartë ose mungesës së shprehjes së interesit për të konkurruar nga ana e operatorëve ekonomikë”, tha Vitia.

Se problemi me barna vazhdon, e konfirmon edhe ekspertja e shëndetësisë, Saranda Ramaj. “Këto mungesa nuk janë lidhur me çështjen se a ka pasur buxhet ose jo, ka pasur problem në zinxhirin e furnizimit dhe zinxhirin e prokurimit”, tha Ramaj.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishaj, thotë se pothuajse të gjitha shërbimet onkologjike në vend ofrohen nga sektori publik. “Vetë fakti që mbi 95-98% e të gjitha rasteve me sëmundje malinje të adultëve trajtohen në Klinikën e Onkologjisë si i vetmi shërbim publik, ose në anën tjetër 99% e shërbimeve onkologjike janë publike dhe gati 0.5% ose 1% privat, tregon se me çfarë përkushtimi është bërë punë e jashtëzakonshme në Klinikën e Onkologjisë”, tha Kurtishaj.

Por Tetori Rozë nuk është vetëm çështje e grave.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë vitit 2025 në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit, prej të cilëve 592 ishin te gratë dhe nëntë te burrat. “Në këtë fushatë duhet t’u kushtohet rëndësi edhe burrave, sepse edhe ata, ndoshta në numër më të vogël, mund të jenë të prekur nga kanceri i gjirit”, tha Ramaj.

Diagnostikimi i hershëm po shënon përparim.

Por për ata që tashmë janë diagnostikuar, sfida është shumë konkrete: trajtimi nuk duhet të ndërpritet për shkak të mungesës së barnave.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *