Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një mbledhje të Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të shqyrtuar çështjet aktuale dhe ndikimin e tyre në veprimtarinë e institucioneve të sigurisë.
Në këtë takim, përveç anëtarëve të ligjshëm, morën pjesë edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjatë takimit u diskutua në lidhje me situatën aktuale dhe masat që duhet të ndërmarrin institucionet për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional, koordinimin me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, si dhe për rritjen e besimit të publikut. “Në takim u konkludua se: Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin.
Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional,” thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sa i përket hetimeve të nisura për ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni, Begaj theksoi se Këshilli i Sigurisë ka nënvizuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë së hetimeve të drejtësisë dhe se ato duhet të zhvillohen në mënyrë të pavarur dhe të respektohen nga të gjitha institucionet. “Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe institucioneve të sigurisë.
Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik.
Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional,” thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidenti dhe anëtarët e Këshillit theksuan nevojën që mosbesimi institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional. “Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete.
Institucionet e Republikës të punojnë së bashku për të forcuar shtetin, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve,” thuhet në njoftimin e Presidencës.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare zgjati rreth 1 orë e 30 minuta në Pallatin e Brigadave dhe erdhi pas shkarkimit të kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
Ajo u vetëdorëzua më 22 shtator dhe aktualisht ndodhet në masën “arrest në shtëpi”.
Ndaj Hysenit rëndojnë akuzat për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete”.
Dyshohet se Hyseni i ka vendosur në dispozicion materiale sekrete shtetërore Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





