Arrestime të reja në Zubin Potok: Drejtësia po troket pas 27 vjetësh

Një aksion i gjerë nga institucionet e sigurisë është zhvilluar sot në veri të Kosovës, konkretisht në Zubin Potok, ku janë arrestuar nëntë persona nën dyshimet për krime lufte ndaj popullsisë civile.

Kjo sjell numrin total të të arrestuarve në 13, në kuadër të operacionit të quajtur “Dosja 23”.

Bastisjet e sotme kanë lidhje me masakrimin e “Grupit të Intelektualëve” që ndodhi në vitin 1999, dhe gjatë kontrolleve janë sekuestruar libreza ushtarake, armë dhe dhjetëra mijëra dinarë serbë.


- Advertisement -

Në të njëjtën kohë, institucionet dhe ekspertët e politikës ndërkombëtare po kërkojnë presion të menjëhershëm mbi Beogradin për hapjen e arkivave sekrete ushtarake.

Pas 27 vjetësh fshehje, drejtësia po troket në dyert e të dyshuarve për krime lufte.

Ajo që ka mbetur e heshtur për gati tri dekada, tani po merr një tjetër rrjedhë.

Në Zubin Potok, të dyshuarit ranë në prangat e policisë, duke e rritur numrin e të arrestuarve për ngjarjet e përgjakshme të vitit 1999.

Gjatë operacionit “Dosja 23”, organet e rendit kanë sekuestruar gjithashtu telefona mobilë, armë, predha dhe rreth 60 mijë dinarë serbë.

Ky operacion godet drejtpërdrejt rrjetin e dyshuar për masakrimin e “Grupit të Intelektualëve”, duke rikthyer në vëmendje krimet ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.

Arrestimet janë shoqëruar me kërkesa të qarta për faktorin ndërkombëtar. “Ajo çfarë duhet të bëhet është një presion i madh ndërkombëtar për të kërkuar nga Serbia që të hapë arkivat, pasi Serbia ka kryer krime për të cilat është vetë përgjegjëse.

Prandaj, bashkësia ndërkombëtare do të duhej të bënte më shumë presion.

Jo vetëm bashkësia ndërkombëtare, por edhe çdo mekanizëm tjetër, që sa më parë të jetë e mundur, Serbia të dëshmojë dhe të nxjerrë para drejtësisë e të tregojë se ku janë trupat e të vrarëve, atë që ka bërë me paramendim dhe të tregojë qëllimin e qartë, spastrimin etnik,” tha Dorajet Imeri, njohës i çështjeve ndërkombëtare.

Kërkesa të qarta janë bërë gjithashtu nga ekzekutivi, duke ripërsëritur nevojën për rritjen e presionit ndaj Serbisë për hapjen e menjëhershme të arkivave ushtarake serbe dhe dorëzimin e dokumenteve sekrete që mbajnë të fshehur fatin e të zhdukurve të luftës.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka shpallur këtë proces si prioritet shtetëror.

Aksioni i sotëm vjen vetëm një javë pas identifikimit të tri viktimave të këtij grupi përmes ADN-së në laboratorët e Hagës.

Eshtrat e tyre u zbuluan në varrezat masive në veri, ndërsa pjesa tjetër e mostrave është duke u ekzaminuar forenzikisht.

Rreth tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova vazhdon të bëjë përpjekje për zbardhjen e të vërtetës për mbi 1 mijë e 500 persona të zhdukur.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *