Në Akademinë Përkujtimore të organizuar për nder të trevjetorit të rënies së heroit Afrim Bunjaku, djali i tij i vogël, Fatlum Bunjaku, ka prekur zemrat e të pranishmëve me fjalët e tij të ndjera për babain.
Fatlumi shprehu se mungesa e babait e shoqëron çdo ditë, ndërsa kujtimi dhe dashuria për të mbeten të pandryshuara.
Ai tha: “Për ty hero.
Sot po të flas, o babai im, me mallin që s’di të shuhet.
Me zemrën që të kërkon çdo ditë dhe me dashurinë që koha s’e tretë.
Më mungon dora që më udhëheqte.
Ajo dorë që më largonte frikën dhe prania jote në çdo kohë, si një strehë e sigurt në mes të stuhisë.” Në vazhdim, ai e theksoi se për të, para se të ishte hero, babai ishte një njeri i dashur, forca dhe drita e tij, njeriu që ia mbushte botën me siguri. “Për mua, para se të ishte hero, ti ishte babai im i dashur.
Forca ime, drita ime, njeriu që ma mbushte botën me siguri”, u shpreh ai.
Fatlumi kujtoi gjithashtu mësimet e çmuara që kishte marrë nga i ati, duke e theksuar se atdheu dashurohet me vepra e guxim, dhe nderi mbrohet me sakrificë. “Ti më mësove se atdheu dashurohet me vepra e guxim, se nderi mbrohet me sakrificë dhe fjala bëhet betim.” Ai përfundoi fjalimin e tij me ndjenja të thella, duke thënë: “Sot, me mall e krenari, emrin tënd e them më të lartë, që ta dëgjojë toka e qielli, që ta mbajë era nëpër male, dhe të mos shuhet kurrë në kujtesë.” Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





