Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka shprehur gatishmërinë për t’i vizituar në shtëpi familjarët e të dënuarve nga Haga.
Megjithatë, nga Presidenca kanë theksuar se për ta është e rëndësishme që takimi i parë të zhvillohet në institucionin e Presidencës.
Deri tani, konfirmimin për pjesëmarrje e kanë dhënë vetëm familjarët e Rexhep Selimit për takimin e paralajmëruar për këtë javë.
Gati një javë pas vendimit të Hagës, familjeve Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u është dërguar ftesa për takim nga Haxhiu.
Megjithatë, realizimi i këtij takimi me të gjithë familjarët duket se po has vështirësi.
Familja e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, përmes djalit të tij, Altin Krasniqi, ka shprehur se “Ne presim me ardh në shtëpi tonë kushdo që dëshiron”.
Familja Veseli gjithashtu ka pranuar ftesën, por nuk ka dhënë detaje nëse do të marrin pjesë.
Familjarët e ish-presidentit Thaçi nuk kanë bërë të ditur se si do t’i përgjigjen ftesës.
Ndërkohë, gruaja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi, ka pranuar pozitivisht ftesën.
Zyra e Presidentes ka sqaruar se qëllimi i takimit është diskutimi i rrugës dhe strategjisë për çështjet e rëndësishme, duke theksuar se është vlerësuar se këto tema duhet të diskutohen me familjarët.
Sipas Presidencës, takimi pritet të përfshijë edhe ministrat, Andin Hoti dhe Ejup Maqedonci.
Në lidhje me vizitat në shtëpitë e familjeve, është shprehur se “U.d.
Presidentja është e gatshme t’i vizitojë familjet edhe në shtëpitë e tyre”, por është parë e nevojshme që takimi i parë të zhvillohet në Presidencë për t’i dhënë atij rëndësinë e duhur.
Takimi është paralajmëruar për këtë javë dhe pas konfirmimit të pjesëmarrjes, do të caktohet dita dhe ora.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





