Dizajneri nga Kosova, Tahir Gashani, ka prezantuar koleksionin e ri ‘Golden Hour’ në kuadër të London Fashion Week, duke sjellë në pasarelë një kombinim të modës, artit dhe elementeve të natyrës.
Koleksioni Pranverë/Verë 2027 u prezantua në ambientet historike të ‘One Great George Street’ në Londër dhe përfshiu gjashtë krijime artistike, të frymëzuara nga toka, qielli dhe oqeani.
Përmes siluetave skulpturore dhe lëvizjes së pëlhurave, Gashani përcolli një histori transformimi që nis me një krijesë të mbështjellë në kokon dhe vazhdon përmes simbolikës së fluturës, shiut, stuhisë dhe lulediellit.
Në qendër të koleksionit është edhe figura e gruas bashkëkohore, e paraqitur përmes siluetave karakteristike të markës, ndonëse krijimi përmbyllës ‘Golden Hour’ simbolizon qetësinë dhe lirinë pas një periudhe të vështirë. ‘Golden Hour është momenti kur toka dhe qielli bashkohen.
Kur gjithçka që kemi përjetuar shndërrohet në dritë dhe nuk kemi më nevojë të luftojmë stuhitë, por thjesht të jetojmë’, ka deklaruar ai.
Prezantimi në Londër vjen pas një rrugëtimi dhjetëvjeçar të dizajnerit në industrinë e modës.
Gashani e nisi këtë rrugëtim që në moshën 15-vjeçare dhe sot vazhdon të zhvillojë vizionin e tij artistik përmes shtëpisë së modës Gashani.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





