Komuna e Prishtinës ka konfirmuar se nuk ka vendim për anulimin e procesit mësimor për nesër, kur pritet të merret vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë për “Zërin” se deri tani nuk ka asnjë vendim për anulim të procesit mësimor, ose kërkesë nga Policia që të shqyrtohet një gjë e tillë.
Ambasada Amerikane në Prishtinë ka bërë thirrje të hënën shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku janë paralajmëruar demonstrata për nesër.
Disa organizata planifikojnë demonstrata të mëdha më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës.
Ambasada ka udhëzuar shtetasit amerikanë që të kufizojnë lëvizjet në këto zona për shkak të mundësive të grumbullimeve të mëdha njerëzish dhe mbylljes së rrugëve në trafik.
Policia e Kosovës ka zhvilluar takim me partnerët ndërkombëtarë për prezantimin e planit dhe angazhimeve të Policisë lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me 16 shtatorin.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




