27 vjet më parë, nisën të ndërtojnë një institucion, që sot, është ndër shtyllat kryesore të sigurisë në vend.
Nga ditët e para të pasluftës e deri tek sfidat e sotme, uniforma e Policisë së shtetit është parë në çdo cep të vendit.
Sot, 27 vjetori i themelimit, i gjen zyrtarët policor me kompetenca të plota, por në fillim situata ishte ndryshe.
Se si kishte nisur gjithçka e mban mend, Xhemajl Ademaj, polici me numrin 001. ‘Ne jemi mundu të ju tregojmë qytetarëve të Kosovës se ka startu, ka fillu punën një polici e re demokratike, e dalë nga vetë populli i Kosovës, bijtë e saj.
Por me të thënë të drejtën krahasimi nuk mund të bëhet, sepse ne atëherë ishim, një strukturë ligjore e UNMIK-ut, kishim pak kompetenca, ishim pothuajse në trajnim’, ka theksuar Xhemajl Ademaj, Ish-polici me numrin 001.
Por, historia e Policisë së Kosovës është edhe histori e grave të para që iu bashkuan një institucioni të ri, në një kohë kur siguria ende nuk ishte e garantuar.
Një prej tyre ishte Fehmije Gashi-Bytyqi. ‘Ka qenë ndjenjë e mirë, përgjegjësi e madhe, dhe guximi madh, pasi 4 muaj kemi patrullu pa armë, natën e ditën.
Në atë periudhë kohore prej 4 muajsh kemi qenë krejtësisht të varur nga reagimi i policisë së UNMIK-ut’. 27 vjet pas, në përvjetorin e Policisë, institucionin e sheh me krenari, veçse ish-zyrtarja policore kërkon më shumë mbështetje për ta. ‘Pjesa e Veriut, falë policisë të cilët e kanë vu jetën në altarin e interest të shtetit, ka arrit që të zhduken atje bandit. Është një polici shumë e suksesshme, vetëm se duhet të motivohen dhe mbështeten, pa sigurim shëndetësorë, pa shujtë ushqimi’.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





