Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar figurën e Nënë Terezës, në 29-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, duke vlerësuar kontributin dhe trashëgiminë e saj universale.
Kurti ka marrë pjesë në promovimin e veprës “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, e autorëve Skënder Asani dhe Albert Ramaj.
Sipas tij, edhe tri dekada pas vdekjes së saj, jeta dhe vepra e Nënë Terezës vazhdojnë të ofrojnë mësime për njerëzoren, dashurinë, paqen dhe bamirësinë. ‘Nënë Tereza ishte një grua e madhe e dalë nga një komb relativisht i vogël, që ia kushtoi jetën njerëzimit dhe u bë simbol universal i humanizmit, solidaritetit dhe dashurisë për tjetrin,’ ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se vepra e autorëve Asani dhe Ramaj sjell dëshmi, dokumente, letra dhe fotografi që ndriçojnë rrugëtimin e Gonxhe Bojaxhiut, nga familja e saj shqiptare në Shkup, me prindër nga Prizreni e Gjakova, deri te figura e Nënë Terezës me përmasa universale. ‘Siç e kam theksuar edhe në parathënie: ajo u shndërrua në urë, jo në mur,’ ka deklaruar Kurti.
Kryeministri në detyrë ka falënderuar autorët për kontributin në dokumentimin dhe pasurimin e kujtesës për jetën e Nënë Terezës, të cilën e ka cilësuar si një prej figurave më të ndritura që i ka dhuruar shqiptaria botës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





