Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar nga kryetarët e komunave më 1 shtator.
Protesta do të mbahet në orën 11:00, në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa Rama ka thënë se ajo organizohet kundër, siç pretendon ai, bllokimit të komunave dhe ndëshkimit të qytetarëve. “Boll mo!
Qytetarët nuk mund të ndëshkohen sepse nuk e kanë votuar Vetëvendosjen”, ka shkruar Rama.
Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti se po ua bllokon komunave mjetet dhe investimet për shkak të rezultatit zgjedhor, duke thënë se paratë e mbledhura nga qytetarët përmes tatimeve duhet t’u kthehen atyre përmes investimeve në shkolla, çerdhe, rrugë, shëndetësi dhe projekte të tjera. “Kryeqyteti është i qytetarëve të tij.
Nuk është vend ku pushteti qendror zbras inate politike, komplekse dhe motive të dyshimta për mos me u zhvillu ky vend!
Kur qytetarët ndëshkohen për mënyrën si votojnë, kur paratë e tyre bllokohen dhe pushteti tenton të centralizohet në një dorë, kjo është rruga drejt autokracisë.
Na nuk kemi me leju këtë!
Prishtina është e Prishtinalive dhe e krejt Kosovës, dhe s’kemi me leju një njeri me plane e motive të dyshimta me nal zhvillimin e me përça një popull”, shkroi Rama.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





