Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Maqedonisë së Veriut kanë ndaluar importin nga Kosova të dy dërgesave me qumësht UHT, me peshë totale prej 27.520 kilogramësh, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi nivelet maksimale të lejuara.
Dërgesat janë ndaluar javën e kaluar në pikën kufitare Bllacë, ndërsa qumështi ishte destinuar për shitje në një zinxhir marketesh në Maqedoninë e Veriut.
Sasitë e qumështit të cilësuara si të pasigurta janë asgjësuar nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar në deponinë “Drislla”.
Mostrat për analiza laboratorike nga të dyja dërgesat janë marrë në kuadër të Programit të Monitorimit për kontrolle ndaj produkteve ushqimore me origjinë shtazore që importohen në vend.
Agjencia ka miratuar masa të veçanta të sigurisë për importin e qumështit, produkteve të qumështit, si dhe produkteve që përmbajnë qumësht të kondensuar dhe qumësht pluhur.
Këto masa kanë forcuar kontrollet zyrtare gjatë importit, duke përfshirë analizat e detyrueshme laboratorike dhe verifikimin e përputhshmërisë me kërkesat e cilësisë.
Autoritetet maqedonase synojnë të lejojnë vetëm produkte të sigurta dhe cilësore në tregun vendas për të siguruar konkurrencë e drejtë dhe mbrojtjen e prodhuesve dhe konsumatorëve.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




