Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 147 raste me fruth gjatë periudhës 16 prill – 24 gusht 2026.
Sipas IKShPK-së, numri i rasteve të konfirmuara këtë vit është më shumë se dyfishi i rasteve të regjistruara gjatë tërë vitit 2025.
Vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 10 raste të reja, transmeton Zeri.info.
Prishtina prin me numrin më të lartë të rasteve, me 49, pasuar nga Fushë-Kosova me 35 dhe Ferizaj me 13 raste.
Rastet e tjera janë raportuar në këto komuna: Obiliq 9, Lipjan 8, Kaçanik 7, Vushtrri dhe Shtime nga 4, Skenderaj dhe Drenas nga 3, ndërsa Gjilani, Gjakova, Shtërpca dhe Deçani nga 2 raste.
Nga një rast është konfirmuar në Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.
IKShPK-ja ka bërë të ditur se gjatë tri javëve të fundit ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet në komunat me numrin më të lartë të rasteve.
Si rezultat, në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj janë vaksinuar me vaksinën MMR gjithsej 504 fëmijë të vonuar për vaksinim sipas kalendarit të rregullt.
IKShPK u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin në qendrat e mjekësisë familjare.
Instituti gjithashtu rekomandon që personat që shfaqin simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor.
Sipas IKShPK-së, për shkak të infektueshmërisë së lartë të fruthit dhe rrezikut të përhapjes në komunitet, vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e sëmundjes, uljen e përhapjes së saj dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




