Filmi kosovar ‘Dua’, me regji të Blerta Bashollit, do të rikthehet në Prishtinë këtë shtator, ku do të ketë nderin të hapë edicionin e 18-të të PriFest – Prishtina International Film Festival.
Lajmi është bërë i ditur nga organizatorët e festivalit përmes një postimi në Facebook, ku e kanë cilësuar rikthimin e filmit në Kosovë si një moment me rëndësi të veçantë. ‘Dua’ është një histori e lindur në Kosovë dhe e realizuar nga artistë e profesionistë kosovarë, e cila ka udhëtuar përtej kufijve të vendit.
Tashmë, filmi do të rikthehet në Prishtinë për t’u prezantuar para publikut kosovar në ekranin e madh.
Filmi trajton tema si adoleshenca, miqësia, identiteti dhe rezistenca, duke e vendosur ngjarjen në sfondin e një prej periudhave më të vështira të historisë së afërt të Kosovës.
Në kastin e filmit janë aktorët Pinea Sylejmani, Vlera Bilalli, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu dhe Arben Bajraktaraj.
Regjinë e filmit e ka bërë Blerta Basholli, ndërsa skenari është shkruar nga Basholli dhe Nicole Borgeat.
Montazhi është realizuar nga Enis Saraçi, ndërsa drejtor i fotografisë është Lucie Baudinaud.
Producentët e ‘DUA’ janë Valon Bajgora, Thomas Reichlin, Britta Rindelaub, Agon Uka dhe Yll Uka, ndërsa bashkë-producentë janë Amaury Ovise dhe Olivier Pere.
Filmi është një bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës dhe Francës.
Pas një rrugëtimi ndërkombëtar, ‘Dua’ do të rikthehet në vendin e origjinës për të hapur festivalin, duke shënuar nisjen e gjashtë ditëve të mbushura me filma, histori, takime dhe aktivitete kulturore.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





