Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në rajonin e Toplicës, ku ka premtuar se së shpejti fillon ndërtimi i autostradës deri në Merdar, ka folur gjerësisht për zhvillimet në Kosovë, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti, institucionet e Kosovës dhe vendet perëndimore, ndërsa ka kërkuar nga NATO-ja që të pengojë hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut.
Vuçiq tha se do t’i dërgojë një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me kërkesë që ura të mos hapet.
Ai e lidhi çështjen e urës me atë që e cilësoi si presion ndaj serbëve në Kosovë, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe “ndihmësit e tij në Perëndim” për atë që e quajti “terrorizim” të serbëve.
Vuçiq gjithashtu tha se “shpina e Nenad Rashkoviqit është fytyra e Albin Kurtit” duke e kritikuar politikën e Kurtit.
Presidenti serb gjithashtu deklaroi se pa Listën Serbe, nuk do të ketë serbë në Kosovë.
Autostrada Nish–Merdar është projekt që historikisht është paraqitur nga Beogradi si lidhje drejt Kosovës dhe më tej drejt Shqipërisë.
Vuçiqi e kishte lidhur eksplicitisht me lidhjen me serbët në Kosovë dhe marrëdhëniet me shqiptarët.
Rajoni i Toplicës ka rëndësi të veçantë në kujtesën historike shqiptare, pasi ishte një nga hapësirat nga të cilat shqiptarët u dëbuan gjatë luftërave serbo-osmane të viteve 1877–1878.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





