Arrestimi i Fehim Salit, nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me Shërbimin Inteligjent Serb (BIA), ka hyrë në fazën e parë të procedurës penale.
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa Prokuroria Speciale po vazhdon hetimet për kontaktet e tij të dyshuara me pjesëtarë të BIA-s dhe aktivitetet që pretendohet se ka zhvilluar në Kosovë.
Sali u arrestua më 13 gusht në pikën kufitare në Merdar, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.
Një ditë pas arrestimit ai doli para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku Prokuroria Speciale kërkoi caktimin e masës së paraburgimit.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Sali dyshohet se ishte rekrutuar nga BIA dhe kishte komunikim me zyrtar të lartë të këtij shërbimi, Zhelimir Matoviq, i njohur si “Zheljko”.
Prokuroria theksoi se Sali kishte ofruar informacione lidhur me zhvillimet politike në Kosovë dhe kishte mbledhur të dhëna për persona dhe zyrtarë të institucioneve të Kosovës.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, tha se provat e siguruara deri më tani kanë krijuar dyshim të bazuar se Sali ka qenë i rekrutuar nga BIA.
Sipas prokurorit, i pandehuri ka pranuar se ishte rekrutuar dhe kishte kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të këtij shërbimi inteligjent.
Ai ka qenë i angazhuar në fushën e arsimit dhe në organizata joqeveritare.
Ai ka përfaqësuar komunitetin goran në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës së Kosovës për dy mandate, nga viti 2020 deri në vitin 2024, kur edhe është larguar nga kjo pozitë.
Hetimet e Prokurorisë Speciale pritet të sqarojnë natyrën e kontakteve të Salit me BIA-n, rrethanat e rekrutimit të tij dhe nëse informacionet që i ka mbledhur janë përcjellë te shërbimi inteligjent serb.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





